<

Lajme

Mbahet takimi i parë publik për diskutimin e draftit fillestar të Koncept dokumentit për regjistrin e pronarëve përfitues.

Prishtinë, 13/07/2021

Në kuadër të nevojës së hartimit të një kornize ligjore për rregullimin e regjistrit të pronarëve përfitues, Qeveria e Kosovës ka iniciuar procedurat e hartimit të një Koncept dokumenti për regjistrin e pronarëve përfitues. Me konkretisht këtë procedurë e kryeson Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë

 

Bazuar në nismën e këtij koncept dokumenti u mbajt takimi i parë publik për të diskutuar draftin fillestar të Koncept dokumentit për regjistrin e pronarëve përfitues.

 

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Qeverisë së Kosovës, bizneseve dhe shoqatave të biznesit. Takimi u organizua nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ndërkaq u kryesua nga z.Mehdi Pllashniku, Zv. Drejtor i Përgjithshëm në ARBK dhe Kryesues i grupit punues për hartimin e draftit fillestar të Koncept dokumentit për Regjistrin e Pronarëve Përfitues.

Qëllimi i takimit ishte informimi i bizneseve dhe palëve të interesit me të arriturat e deritanishme sa i përket hartimit të draftit fillestar të Koncept dokumentit për regjistrin e pronarëve përfitues. Fillimisht u prezantua drafti fillestar i hartuar deri më tani, duke vazhduar tutje për ekspertiza nga shtetet e tjera, nga ekspertja nga GIZ znj. Ramandeep Kaur Chhnia.

 

 Një theks i veçantë u dha edhe në përshkrimin e metodologjisë dhe procesit të hartimit të koncept dokumentit. Kjo metodologji është e bazuar në Udhëzuesin dhe Doracakun për Hartimin e Koncept Dokumenteve e përpiluar nga Sekretariati Koordinues i Qeverisë, udhëzues ky që përkufizon mënyrën se si një Koncept Dokumentet duhet të hartohet.


Në fund, palët pjesëmarrëse u dakorduan që të kontribuojnë në procesin e hartimit të Koncept Dokumentit për regjistrin e pronarëve përfitues duke dhënë edhe komentet e tyre me shkrim në lidhje me çështjet që ata mendojnë se duhet të adresohen më tej si dhe duke vazhduar të jenë pjesë e diskutimeve të ardhshme publike për të finalizuar këtë Koncept dokument.

 

Takimi është realizuar duke u mbështetur nga organizata GIZ.