Mbahet takimi publik për hartimin e draftit fillestar të Koncept-dokumentit për Shoqëritë Tregtare
Prishtinë,
01/10/2021
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dje ka organizuar takimin publik për të diskutuar për hartimin e draftit fillestar të Koncept-dokumentit për Shoqëritë Tregtare.
Në këtë takim është diskutuar për ndryshimet të cilat parashihet të ndodhin për mundësitë e evitimit të disa vështirësive, që kompanitë po i hasin gjatë regjistrimit apo menaxhimit të tyre.
Çështjet që u diskuan ishin:
- Përqindja obliguese për gratë në borde e drejtorëve të kompanive;
- Çështjet rreth plotësim/ndryshimit të statutit dhe përfshirjes se bordit të drejtorëve dhe përfaqësuesit të autorizuar në statut të kompanive;
- Regjistrimi i SHPK-së të bëhet me një kapital të caktuar (që kërkohet edhe me direktivë te BE-së);
- Rregullimi i tipit të ndërmarrjeve “Holding”;
- Zbulimi i informacioneve të kompanive dhe degëve të tyre;
- Dorëzimi i dokumenteve të bëhet vetëm në gjuhët zyrtare;
- Bashkimet dhe ndarjet ndërkufitare të kompanive;
- Të drejtat e aksionarëve;
- Mundësia e kalimit të zyrtarëve për regjistrim të bizneseve të qendrave komunale në kuadër të ARBK/MINT.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues të MINT dhe institucioneve tjera qeveritare, si dhe përfaqësues nga shoqatat e komunitetit të biznesit.