MINT dhe ATK nënshkruajnë memorandum për qasje në informata të bizneseve
Prishtinë,
01/07/2021
Zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm i Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, Mehdi Pllashniku, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, për ta mundësuar qasjen më të lehtë në informatat e bizneseve nga ana e ATK-së.
Memorandumi ka për qëllim kompletimin sa më të shpejtë të informatave të nevojshme gjatë fazës së hetimeve si dhe sigurisë, e që Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do t’iu mundësojë qasje në informata në mënyrë elektronike (të skanuara përmes linkut të sigurisë) në tërë dokumentacionin nga data e regjistrimit, duke përfshirë të gjitha ndryshimet të cilat kanë ndodhur në aplikacionet e këtyre bizneseve.
Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës, në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës, bazuar në Ligjin 03/L-22, mbi Administratën Tatimore dhe Procedurat është i autorizuar të bëjë hetimin e veprave penale në fushën e tatimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës nën urdhrin e Prokurorit të Shtetit.
Kjo është marrëveshja e parë për këtë çështje në mes MINT dhe ATK-së, e që shërben në rritjen e transparencës, duke bërë që ATK-ja ta ketë më të lehtë qasjen në informatat e bizneseve, që mund të jenë cak i ndonjë hetimi.
Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës është data-baza e të gjitha bizneseve, që prej kur ka filluar regjistrimi i bizneseve në Kosovë, respektivisht që nga themelimi i këtij institucioni.